Hoxha, beqaret dhe Kurani

Një hoxhë paska komentu si duket për ‘virgjëreshat e famshme’ që na presin në xhenet, specifikisht për formën e gjinjve të tyre. Kjo çështje është njëra nga ‘thembrat e Akilit’ në perceptimin e joislamikëve, ateistëve, agnostikëve e grupeve tjera që kanë aversion ndaj Islamit për shkak të ni propagande të jashtëzakonshme dhe një mjegullimi të madh rreth të vërtetës që është diku në Kuran.
Mund të jem i painformuar mirë dhe nuk e konsideroj veten najfarë eksperti të Islamit… madje më duket se jam larg. Por, nëse është fjala për vargun 78:33, përkthimi më i besueshëm më duket ‘impressive peers’ që e kam gjetë te Edip Yuksel et al. ‘Quran: A Reformist Translation’. Peer dmth. moshatar, mik, dikush që i përket grupit të njëjtë shoqëror apo profesional, dikush që është po aq i mirë sa ti. (http://www.macmillandictionary.com/dictionary/british/peer_1). Pra, miq impresivë. Dhe këtu nuk përmendet gjinia.
Një tjetër burim i keqkuptimit është nxjerrja nga konteksti. Ky është vetëm një varg me dy fjalë. Për kontekst, përkthimi i Abdel Haleem na ndihmon duke i paraqitur vargjet nëpër fjali e paragrafe. Aty mund të shihet shumë më saktë se për çka është fjala dhe konteksti edhe i muhabetit, edhe i kohës, edhe kush kujt po i drejtohet etj. Te ky përkthim shihet se vargjet 31-37 e përbëjnë një paragraf të plotë dhe se vargu 37 është i ndarë në dy pjesë—në dy paragrafe të ndryshme (që ndodh shumë rrallë).
Tani, po ta përkthejmë 31-37 të Edip Yuksel, kemi:
“Sa i përket të drejtëve, ata do të kenë sukses, kopshte e vreshta, miq impresivë, gotë të mbushur plot. Ata nuk dëgjojnë aty ndonjë bisedë të turpshme apo rrenë. Shpërblim ky nga Zoti yt, duke ta njohur atë që është bërë. Zoti i qiejve e tokës dhe asaj që është ndërmjet tyre, i Këndshmi. (…Pos Tij ata nuk posedojnë ndonjë autoritet.)”
Te Abdel Haleem është interesant që vargu i fundit (7:37) është ndarë në dy paragrafe. Ja përkthimi:
“Për ata që ishin të vetëdijshëm për Zotin ka përmbushje supreme: kopshte private, vreshta, shoqërues(e) nubilë-e (seksualisht tërheqës-e), të përshtatshëm-e me ty, dhe një gotë të tejmbushur. Aty ata nuk do të dëgjojnë fjalë të kota apo të gënjeshtërta: shpërblim nga Zoti juaj, dhuratë e përshtatshme nga Zoti i qiejve e tokës dhe gjithçkaje ndërmjet, Zoti i Mëshirës.”
Te përkthimi i Hasan Nahit:
“Vërtet, për punëdrejtët është përgatitur e mira (Xheneti): kopshte dhe vreshta, vajza të reja, të së njëjtës moshë, dhe kupa të plota. Atje nuk do të dëgjojnë biseda të kota e as gënjeshtra. Kështu është shpërblimi nga Zoti yt – dhuratë sipas meritës – Zoti i qiejve dhe i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, i Gjithëmëshirshmi [të Cilit askush nuk do të mund t’i flasë (nga frika).]”
Pra: miq impresivë; shoqërues(e) nubilë-e; vajza të reja, të së njëjtës moshë.
E para, nuk ka përshkrim të gjinjve. E dyta, në disa përkthime ka dallim gjinor, por në disa nuk ka. Në disa përkthime ka interpretim seksual, e në disa krejt neutral, në nivel miqsh. Hamendja ime është se seksi është përjetim më shumë fizik, i kësaj bote (megjithëse ka edhe elemente shpirtërore aty) dhe se në atë botën tjetër nuk është patjetër ‘ajo gjëja më e mirë që mund ta përjetojë njeriu’. Prandaj më shumë po më flen kjo ‘miq impresivë’. Pa biseda të turpshme, të kota, apo rrena. Super!

 

Kapitulli 56, 1-40

Edhe në këtë kapitull vërehen dallime në përkthim:

Hasan Nahi:
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Kur të ndodhë Ngjarja (Kiameti), ardhjen e saj askush nuk do ta mohojë. Disa do t’i ulë e disa do t’i lartësojë. Kur Toka të dridhet fuqishëm, malet të thërrmohen copë-copë e të shndërrohen në pluhur të shpërndarë, ju, (o njerëz) do të ndaheni në tri grupe: njerëzit e së djathtës – sa të nderuar do të jenë fatlumët! njerëzit e së majtës – sa të poshtëruar do të jenë fatkeqët! dhe ata që kanë prirë (në besim) e që do të prijnë (edhe në Xhenet). Ata janë të afërtit (tek Allahu), në kopshtet e kënaqësisë. Shumica e tyre janë prej të lashtëve, ndërsa një pakicë prej brezave të mëvonshëm. Ata do të qëndrojnë në divane të stolisura me ar e gurë të çmuar, të mbështetur në to përballë njëri-tjetrit. Do t’u sillen rreth (për shërbim) djelmosha përherë të rinj, me kupa, ibrikë dhe gota me pije të kulluar, që rrjedh e prej së cilës nuk do t’u dhembë koka dhe nuk do t’u humbë mendja, e me fruta të cilat do t’i zgjedhin vetë dhe mish shpendësh që ua ka ënda. Për ata ka edhe hyrie symëdha, të ngjashme me margaritarët e ruajtur, si shpërblim për atë që kanë punuar. Aty nuk do të dëgjojnë biseda të kota, as fjalë gjynahesh, por vetëm fjalët “Paqe, paqe”!

E njerëzit e së djathtës – sa të nderuar që janë fatlumët! Ata do të qëndrojnë në mes të lotusve pa gjemba dhe bananeve të mbushura me fruta, nën hije të gjera, pranë një uji rrjedhës, dhe mes frutave të llojllojshme, të cilat kurrë nuk sosen, as nuk janë të ndaluara; dhe në shtroje të ngritura (ku i presin hyrijet), të cilat Ne i kemi krijuar në një formë të veçantë (jo të lindura), dhe i kemi bërë ato virgjëresha, të dashura për bashkëshortët e tyre dhe moshatare me ta, për njerëzit e së djathtës. Janë shumë nga të lashtët e shumë edhe nga të mëvonshmit.

 

Abdel Haleem (përkthyer shqip):

Në emër të Zotit, Zotëruesit të Mëshirës, Dhënësit të Mëshirës
Kur ajo që po vjen arrin, askush nuk do të jetë i aftë ta mohojë se ajo ka ardhur, duke rënë poshtë dhe duke u ngritur lart. Kur toka tundet dhunshëm dhe malet rrafshohen në pluhur dhe kthehen në dhe të shpërndarë, atëherë do të radhiteni në tri klasa. Ata në të Djathtë—çfarë njerëz janë! Ata në të Majtë—çfarë njerëz janë! Dhe ata përpara—vërtet përpara! Se këta do të jenë ata që sillen më së afërti Zotit në Kopshte të Haresë: shumë nga breza të shkuar dhe disa nga breza të mëvonshëm. Në divane të stofit të thurura mirë ata do të ulen përballë njëri-tjetrit; të rinj të përhershëm do të kalojnë përreth tyre me gota, shtamba, dhe kupa të një pijeje të pastër që nuk shkakton as kokëdhembje as dehje; [aty do të ketë] çfarëdo fruti që ta zgjedhin ata; mishi i cilitdo zog që e duan; dhe shoqërues(e) të bukur(a) si perla të fshehura: shpërblim për atë që e bënin dikur. Ata nuk do të dëgjojnë biseda të kota apo mëkatare, vetëm të folur të pastër e të dobishëm.
Ata në të Djathtë, çfarë njerëz janë! Ata do të rrijnë në mes të pemëve të lotuseve të pagjemba dhe akacieve të tufëzuara me hije që shpërndahet, ujë që rrjedh vazhdimisht, fruta të begatshme, pa fund a ndryshim, të pandaluara, me shoqërues(e) të pashoq(e) që i kemi krijuar Ne–të virgjër(a), të dashur(a), të moshës së njëjtë–për ata në të Djathtë, shumë nga brezat e shkuar dhe shumë nga brezat e mëvonshëm.

 

Edip Yuksel, Layth Saleh al-Shaiban, Martha Schulte-Nafeh (përkthyer shqip):

Në emër të Zotit, Të Këndshmit, Të Mëshirshmit
Kur të pashmangshmes i vjen koha. Askush nuk mund ta ndalë që të ndodhë. Poshtëruese, lartësuese. Kur toka do të dridhet nga një dridhje e tmerrshme. Malet do të bëhen rrafsh. Ashtu që bëhen vetëm dhé i shpërndarë. Ju do të jeni në tri grupime. Pra ata në të djathtë; kush do të jenë nga ata në të djathtë? Ata në të majtë; kush do të jenë nga ata në të majtë? Ata të përparmit; kush do të jetë nga ata të përparmit? Ata do të jenë ata që sillen afër. Në parajsa të haresë. Shumë nga brezat e parë. Disa nga brezat e mëvonshëm. Në mobilje luksoze. Duke ndenjur në to, duke e fqinjësuar njëri-tjetrin. Duke lëvizur ndër ta do të jenë fëmijë të pavdekshëm. Me kupa e shtamba. Pije që janë të pastra. Ato nuk harxhohen, as nuk prishen. Fruta të zgjedhjes së tyre. Mish i zogjve që ata i dëshirojnë. Shoqërues(e) të mrekullueshëm(e), si perla të strehuara. Shpërblim për punët e tyre. Ata nuk dëgjojnë kurrë ndonjë gjepur aty, as shprehje mëkatare. Vetëm shprehje të: “Paqe. Paqe.”
Ata në të djathtë; kush do të jetë me ata në të djathtë? Në kopshte frutore të zbukuruara. Pemë frutore që janë të pjekura. Hije e zgjeruar. Ujë që rrjedh. Shumë fruta. As që mbarojnë; as të ndaluara. Mobilje të lartësuara. I kemi prodhuar në mënyrë të veçantë. I kemi bërë të reja. Përputhje e përsosur. Për ata në anën e djathtë. Shumë nga brezat e hershëm. Shumë nga brezat e mëvonshëm.

Prehje e paqe, njerëz të mirë!

http://www.kaskas.com/…/Quran-Abdel-Haleem-Translation-1.pdf
http://www.studyquran.org/r…/Quran_Reformist_Translation.pdf
https://d1.islamhouse.com/…/sin…/sq_Kurani_i_madherishem.pdf

#frymëzimeTëMëngjesit

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s