Ndjekja e shabllonit është mëkatim

Dr. Adnan Ibrahimi, shkencëtar i studimeve arabike në Universitet të Vjenës, pos për seks e dashuri, ka folur edhe për mendimin e grupit: 

Në Kuran Zoti tha: “e kanë ndarë komunitetin e vet në sekte, secili sekt duke u lumturuar më vete” (23:53). Çka domethënë kjo?

“…Secilit komunitet Ne ia bëjmë veprimet e veta t’i duken joshëse…” (6:108)

Dhe çka është më e thellë e më e fortë se sa joshja, shijimi.

“…por ata e kanë ndarë komunitetin e vet në sekte, secili sekt duke u lumturuar më vete” (23:53)

Ata ndiejnë gëzim. Mund ta kuptoni se për çka po flas, dhe të mendoni: “Kjo ka kuptim. Mund ta shoh se ata janë të gëzueshëm”. Pse është përdorur fjala ‘joshje’ për ta përshkruar se çka ndiejnë ata? Pse jo ‘besim’ në vend të saj? Për shembull: “Secila palë ka besim më vete”. Apo “Secila palë është e bindur më vete”. E përdorim këtë gjuhë injorante, është gjuhë e gabuar, joshkencore. Por gjuha e Kuranit është shumë e saktë sepse njerëzit e një grupi nuk është se janë të bindur, apo se e besojnë manipulimin e këtij grupi. Nëse dikush e thotë këtë, ai është gënjeshtar! Kjo është ta gënjeni shkencën dhe neuronet në trurin tuaj. E vërteta është se ata janë të kënaqur, ata i japin kënaqësi njëri-tjetrit. “Unë jam me ty dhe ti je me mua dhe ne jemi të lumtur së bashku”. “Unë jam sikur çdo kush tjetër këtu. Nuk jam vetëm, i braktisur”. Kjo nuk është racionale. Është emocionale. Kurani nuk ka përdorur shprehje racionale kur ka përshkruar besimtarë, vetëm shprehje emocionale.

“Zoti ua ka bërë të dashur besimin, dhe ua ka bërë të bukur për zemrat tuaja; Ai ua ka bërë të urrejtshëm mosbesimin, ligësinë dhe revoltën” (49:7).

Shumë interesant. Në emër të mendjes, shumë njerëz besuan, dhe shumë nuk besuan, shumë vranë dhe bënë dhunë. Ku jeni ju në tërë këtë? Ju nuk ekzistoni. Nuk ka personalitet. Ka vetëm shabllone (modele, paterna). Zoti tha: “secili sekt duke u lumturuar më vete”. Jo i-e bindur, jo që beson, por i-e lumtur. Nuk ka bindje, por vetëm qëndrime emotive. Një qëndrim apo opinion të caktuar e pranoni emocionalisht, jo racionalisht. A po kuptoni çka po them? Dhe pastaj e mbroni dhe e arsyetoni atë qëndrim po ashtu emocionalisht. “Secili sekt duke u lumturuar më vete”. Jo i-e bindur, jo i-e sigurtë, por akt i pastër emocional (gëzim).

“Ju keni zgjedhur idhuj në vend të Zotit por dashuria juaj për ta do të zgjasë vetëm për jetën e tanishme” (29:25)

Ata e bëjnë njëri-tjetrin të ndihen që duhen nga të tjerët, prandaj janë bashkë. Besnikëri grupore, në çështjet e Zotit, religjionit, të vërtetës, dhe fat i juaji përfundimtar kah parasja apo kah ferri. Ju jeni partizan (përkrahës i grupit) kur truri ju thotë të keni kujdes, “do të rrëzohesh”, “kthehu prapa tani!” dhe ju nuk dëgjoni kurrë.

“…por dashuria juaj për ta do të zgjasë vetëm për jetën e tanishme: në Ditën e Ringjalljes, do ta mohoni dhe refuzoni njëri-tjetrin. Ferri do të jetë shtëpi e juaja dhe askush nuk do të ju ndihmojë.” (29:25)

Dhe fundi i këtij vargu është po aq mahnitës sa edhe fillimi. Zoti tha, “në Ditën e Ringjalljes, do ta mohoni dhe refuzoni njëri-tjetrin”. Kjo domethënë se ata i kanë besuar dhe e kanë adhuruar njëri-tjetrin në këtë jetë.

Teoria Kuranike po thotë: ata nuk i kanë besuar idhujt që i adhuronin as Judën, as Jezuin-Isain. Ata nuk kanë besuar vërtet në ta. Ata besonin në komunitetin, shabllonin, në të cilin besonin gjithçka që e besonin njerëzit e klanit të njëjtë.

Shumica e muslimanëve dhe e jo-muslimanëve në të vërtetë nuk besojnë në atë që mendojnë se besojnë. Dikush që i adhuron idhujt—e kanë mësuar të besojë në ta. Ai nuk beson. Dhe një musliman e kanë mësuar të besojë në Zot, por ai nuk e bën saktësisht këtë. Ai nuk e di këtë, fatkeqësisht. Dhe i krishteri që e kanë mësuar të besojë në Trininë, nuk beson në të. Ai vetëm e beson atë që e besojnë të tjerët në komunitetin e tij (besimi i grupit). Tema e besimit të tyre nuk është Jezui-Isai, as idhujt, as Zoti. Është komuniteti. Çkado që beson ky komunitet, ai e pranon, absolutisht. Pa asnjë problem. Pra kur ky komunitet vendos ta ndryshojë apo ta shndërrojë besimin, dhe ta bëjë një shabllon të ri, ai shkon rehatshëm me atë rrjedhë. Sepse besimi nuk ishte për idhujt. Ai ishte për njëri-tjetrin. Dhe si çdo gjë tjetër në këtë botë, ka pluse dhe minuse. Ana negative e besimit të grupit është se pa e ditur bëhesh kopje, imitues, dhe të bën të kesh simpati të gabuar, simpati budallaqe dhe të pafe për liderin, rabinin, dijetarin, priftin, ateistin, profesorin, imamin etj. Ju e simpatizoni atë që e ndiqni madje edhe në blasfeminë e tyre, përsëritni pas tyre dhe ndiheni shumë të bindur. Nuk jeni të bindur. Ju vetëm po i simpatizoni ata… vetëm viktimë e neuroneve tuaja reflektuese, dhe mungesës së të kuptuarit tuaj, dhe rezultati është: “Secili sekt duke u lumturuar më vete”.

Mund të panikoni pasi ta dini këtë dhe të filloni ta vini veten në dyshim, dhe t’i shqyrtoni besimet dhe zgjedhjet tuaja. Pra, çka të bëni tash? Po ua them: gjithçka tjetër përtej besimit në Zot e mesazhit të Tij, dhe Ditës së Gjykimit trajtohet lehtë. Mos u brengosni nëse jeni Shia, Sunni… Përderisa besoni në një Zot, jeni të shpëtuar. Por për zgjedhjet tjera, jini të kujdesshëm. Mos më dëgjoni verbërisht mua apo çfarëdo dijetari tjetër sepse do të mund të jeni të padrejtë ndaj vetes. Duhet të tërhiqeni menjëherë, sepse nuk është e tëra zgjedhje e juaj natyrale dhe të jetë vërtetuar e tëra në mendjen tuaj. Mund ta keni gabim. Pra, a ka zgjidhje për këtë krizë intelektuale? Po, ka, dhe është përmendur në Kuran. Nëse e pyes njërin nga ju këtu dhe e di se jeni të mençur, pyetja ime është: nëse e sugjeroni një zgjidhje, çfarë duhet të jetë ajo? Apo çka duhet të reflektojë ajo? Ju do të përgjigjeshit: zgjidhja më e mirë në këtë situatë është të keni zgjedhje të lirë të opinionit tuaj. Kjo është të tërhiqeni, ta izoloni veten nga komuniteti, të jeni vetëm për një muaj, dy, apo më tepër, dhe ta rishqyrtoni çdo gjë që e dini. Kjo është ajo që e bënë të gjithë profetët, të gjithë reformuesit, të gjithë të mëdhenjtë.

Një herë ky fenomen ia tërhoqi vëmendjen historianit të madh anglez, Arnold Toynbee. Ai e quajti këtë “tërheqje dhe kthim”. Ata të gjithë e bënë atë: Ibrahimi (Abrahami), Muhamedi, Buddha, Confucius etj. Jezui-Isai shkoi i vetëm në male, nuk i foli asnjë shpirti për dyzet ditë. Profeti Muhamed e izoloi veten po ashtu në një shpellë në mal çdo vit, larg nga çdokush, dhe atëherë e rikujtonte shpalljen. Toynbee tha, dhe e përmendi edhe Muhamedin: të gjithë ata “u tërhoqën dhe pastaj u kthyen” dhe kur kthehen, gjithmonë vijnë dhe e thejnë shabllonin. Ata kthehen me diçka të re që kontribuon në caktimin e një shablloni të ri.

Nëse po mendoni: “Këta të gjithë janë profetë dhe reformues, dhe njerëz të mëdhenj… Kush jam unë?” Ju jeni njeriu i nderuar, jeni besuesi, jeni të këshilluar të paktën me atë që Zoti e urdhëroi profeti t’i këshillojë mosbesuesit. Zoti tha: “Thuaj: ‘Ju këshilloj në një pikë:'”—një këshillë e lehtë që garantohet nga Zoti se funksionon. Do të ju nxjerrë nga tërë ky konfuzion, dhe dilema.

“Thuaj [Profet]: ‘Ju këshilloj ta bëni vetëm një gjë: qëndroni para Zotit në çifte apo vetëm, dhe mendoni…’ ” (34:46)

Izolojeni veten. Vetëm apo me dikë tjetër. Dy është maksimumi. Nëse bëhen tre atëherë shablloni do të kthehet të dominojë: “secili sekt duke u lumturuar më vete”. Të jeni vetëm është më mirë, por dy është maksimumi. Izolojeni veten nga bota për aq kohë sa ju duhet. Hiqni të gjitha bllokimet si krenaria dhe dëshirat. Kërkoni nga Zoti të ju ndihmojë, dhe do ta gjeni të vërtetën.

Kur personi testohet në një temë që lidhet me perceptimin—teste të thjeshta si “cilat elemente duken të ngjashme, cila vijë është më e gjatë”—është lehtë për një person normal ta dijë përgjigjen, madje edhe po të jetë fëmijë, apo jo? Por kur ky person është i ndikuar nga opinionet e të tjerëve, perceptimi i tij çrregullohet. Ai më nuk e sheh ngjashmërinë ndërmjet dy vijave identike, sepse komuniteti tha se ato nuk janë të ngjashme. Dhe ky ishte eksperimenti i Solomon Asch, i bërë në të kaluarën dhe është bërë përsëri në 2005-tën. Opinioni i tij nuk ishte i tij. Truri i tij vërtet e pa se vijat nuk janë të ngjashme. Shumë e çuditshme. Rezultati i eksperimentit ishte se grupi ndikon në pikëpamjen e një individi.

“Ata të cilëve Ne ua kemi dhënë Librin lumturohen në atë që të është shpallur ty [Profet]; disa fraksione refuzojnë pjesë nga ai” (13:36).

Kjo është hera e parë në jetën time ta di me siguri interpretimin e këtij vargu. Pse Zoti i përmend të pafetë dhe mosbesuesit dhe palët tjera të klaneve të Mekës? Kjo është për ta shpjeguar mekanizmin e kësaj pafesie dhe si funksionoi ajo. Kurani është mahnitës. Është i mrekullueshëm dhe shumë i saktë. Zoti tha për të:

“Me kohë, me garancë do ta gjeni e dini të vërtetën e tij” (38:88)

Në çdo shekull do të zbuloni diçka të re në Kuran që është marramendëse. Komuniteti dhe të qenurit në klan ndikon në mënyrën se si e shihni botën. E ri-aranzhon mënyrën se si i shohim gjërat në këtë botë. Komuniteti, klani, sekti, grupi… e dini?— e gjeta një varg në Kuran që flet për eksperimentin e Asch-it. Më bëri të bërtas “Zoti është më i madhi” në ngazëllim vetë-me-vete sot.

“Ne do t’i bënim zemrat dhe sytë e tyre të largohen nga përballja, siç nuk besuan herën e parë, dhe do t’i linim të hutohen në kokëfortësinë e vet.” (6:110)

Zot i Madh, ky varg është mahnitës. Zoti po thotë: kur e dëgjoni të vërtetën herën e parë, do ta njihni dhe do ta dini se është e vërteta. E ndieni me mendjen dhe zemrën tuaj sepse është e vërteta. Përputhet me natyrën tuaj njerëzore, e dini se është e vërtetë. Dhe nëse ia ktheni shpinën asaj ndjesie, e injoroni, dhe ktheheni ta dëgjoni komunitetin tuaj, do të humbni. Do të jetoni në konfuzion dhe do të mbeteni të verbër për pjesën tjetër të jetës. Interpretimi më i mirë i këtij vargu është eksperimenti i Ash-it. “Ne do t’i bënim zemrat dhe sytë e tyre të largohen nga përballja, siç nuk besuan herën e parë, dhe do t’i linim të hutohen në kokëfortësinë e vet.”

Ndjekja e shabllonit të klanit është mëkatim, vëllezër. Është krim kundër vetëdijes suaj, zgjedhjes suaj natyrale që e dallon të drejtën dhe të gabuarën.

 

(Përkthimet e pjesëve të Kuranit janë bërë nga Abdel Haleem, ‘The Quran’, Oxford University Press, 2005)

P.S. Ardian Gola pat reaguar ndaj predikimeve shpesh të pavend për fe, duke iu referuar si shembull të mirë Adnan Ibrahimit. Posti i Ardian Golës:

https://web.facebook.com/ardian.gola.5/posts/10213560946474807

“…Ne kete link, https://www.youtube.com/watch?v=h8ZKfBNoBN4 mund te shihni cfare qendrimi tipik durkheiman (Durkheim, njeri nga klasiket e Sociologjise) arrine te artikuloje ky imam: “Shumica e muslimanëve dhe jo-muslimanëve, në të vërtetë nuk besojnë në atë çfarë ata mendojnë. Dikush që i beson idhujt, është mësuar t’u besojë atyre. Edhe muslimani është mësuar të besojë në Zot, por në të vërtetë ai nuk beson dhe fatkeqësisht ai nuk e din këtë. I krishteri është mësuar të besojë në trinitet, por ai nuk e beson atë. Ai beson vetëm atë çfarë beson komuniteti i tij (besimi i grupit). Subjekti i tyre nuk është Jezusi, nuk janë idolet, e as Allahu, por është komuniteti (bashkësia)”. (2:50)…”

Video:

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s