Presioni të bësh diçka

Presioni të bësh diçka nuk ndalet kurrë

as kur orari yt është i zbrazët, me çdo gjë në vendin e vet,

as kur e ke çuar secilin projekt deri në pikën e fundit

dhe e di që e ke merituar të drejtën të relaksohesh

e t’i shijosh arritjet e tua, të paktën për pak —

por presioni nuk të lë rehat.

 

Presioni nuk kënaqet kurrë

si kafshë me oreks të pafund

që e kullufit çdo aktivitet dhe pastaj del në gjueti përsëri.

Është me ty posa të zgjohesh nga gjumi

dhe vazhdon të të ngacmojë e të të shtyjë gjatë ditës

dhe nganjëherë të mban zgjuar natën

duke pëshpëritur: “Ka ende kaq shumë gjëra për t’u bërë”,

duke ta kujtuar se çka s’ia ke dalë të bësh sot

dhe çka pritet të kryhet nesër.

 

Presioni të bësh diçka të bind

që krejt ky aktivitet është i domosdoshëm

që e tashmja ekziston vetëm që t’i shërbejë të ardhmes

që momentet janë hapësira boshe që duhet të mbushen

që koha është armik dhe jeta jote — betejë e vazhdueshme

dhe çdo arritje, madje çdo punë e kryer — fitore e vockël.

 

Por s’ke nevojë ta lësh presionin të të detyrojë —

ndoshta ke bërë mjaft tanimë.

Ndoshta s’ka më ç’të bëhet

përveç ç’është patjetër.

Ndoshta arritjet e të ardhmes

veç do ta degradojnë atë që e ke bërë tanimë.

 

Qëndro fort dhe rezistoji impulsit

shkëputu dhe lëre vrullin le të shuhet.

Relaksohu dhe lëre presionin le të kalojë nëpër ty

pastaj udhëzoje veten të kthehesh butësisht në gjendje qetësie

si tren që ngadalësohet dhe përfundimisht ndalet.

 

Pastaj jeta jote do të hapet si panoramë kudo rreth teje

dhe koha do të zgjerohet deri kur të mos ketë kohë fare

veç hapësirë e pandërprerë që rrjedh lirisht.

 

Pastaj presioni të bësh diçka do t’ia lëshojë rrugën

rehatisë dhe hirësisë së të qenët.

 

 

Presioni me bâ diçka

 

Presioni me bâ diçka s’nalët kurrë

as kur orari jot âsht i zbraztë, me çdo sen’ n’ven’ t’vet,

as kur e ke çu secilin projekt deri n’pikën e fundit

dhe e din që e ke meritu t’drejtën m’u relaksu

e m’i shiju arritjet e tua, t’paktën për pak —

po presioni s’ka me t’lânë rahat.

 

Presioni s’knaqet kurrë

si kafshë me apetit t’pafund

që e kullufit çdo aktivitet e tani del n’gjueti prapë.

Âsht me ty si t’çohësh pi gjumit

dhe vazhdon me t’ngucë e me t’shty gjatë ditës

dhe ka’iherë t’man çutë natën

tu pëshpëritë: “Ka hala kaq shumë gjana m’u bâ”,

tu ta kujtu çka s’ia ke dalë m’e bâ sot

dhe çka pritët m’u kry nesër.

 

Presioni me bâ diçka t’bind

që krejt ky aktivitet âsht i domosdoshëm

që e tashmja ekziston veç m’i shërby t’ardhmes

që momentet janë hapësina t’zbrazëta që duhët m’u mbushë

që koha âsht armik dhe jeta jote — betejë e vazhdushme

dhe çdo arritje, bile çdo punë e kryme — fitore e vocërr.

 

Po s’ki nevojë m’e lânë presionin me t’detyru —

nashta ke bâ boll tashmâ.

Nashta s’ka mâ çka m’u bâ

përveç çka âsht patjetër.

Nashta arritjet e t’ardhmes

veç kanë m’e degradu ate që e ke bâ tashmâ.

 

Qëndro fort dhe rezistoji impulsit

shkëputu dhe leje vrullin le t’shuhet.

Relaksohu dhe leje presionin le t’kalojë nëpër ty

mandej udhëzoje veten m’u kthy butësisht në gjendje qetësie

si tren që kadalohët dhe përfundimisht nalët.

 

Mandej jeta jote ka m’u çelë si panoramë kudo rreth teje

dhe koha ka m’u zgjanu deri kur t’mos ketë kohë hiç

veç hapësirë e pandërpreme që rrjedh lirisht.

 

Mandej presioni me bâ diçka ka m’ia lëshu rrugën

rehatisë dhe hir’sisë së t’kânunit.

 

Steven Taylor, “The calm center”

Një mendim mbi “Presioni të bësh diçka

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s