“Ëndrra e Anës”, romani terapeutik

(Vështrim për romanin e Teuta Haxhimusa-Çerkinit)

Teutën e kam njoftë si menaxhere të Burimeve Njerëzore në kompaninë ku punoj (Cacttus). Madhështia e shpirtit të saj të bjen në sy që në takimin e parë, e mandej zbulohet gjithnjë e më shumë në çdo ndërveprim që mund ta kesh me të.

Ajo ma pati dërgu një version të romanit në vigjilje të botimit, por kur e shfletova dhe e pashë se ishte për luftën, i thashë se s’mund ta lexoj. Kisha ende trauma dhe më nevojitej ende një distancë kohore. Në ndërkohë, miku tjetër, Aziz Mustafa ma pati dërgu librin e tij “Mos e harro Japoninë, Suzanë”, dhe aty u ballafaqova me situata shumë të vështira të krye-personazhit, dhe kështu natyrshëm e kalova atë frikë të përballjes. Tani ndihesha gati me lexu librin e Teutës, m’u përballë me traumat e të shkuarës së afërt, megjithëse kanë kalu mbi 20 vjet tanimë.

Romani fillon me një ëndërr-ankth të cilën është vështirë me lexu, mirëpo pastaj vazhdon me stil shumë të këndshëm. Teuta ka fjalor të begatshëm të gjuhës shqipe, dhe ta kujton pozitivizmin e Daut Demakut aty-këtu. Nganjëherë më duhej m’u konsultu me fjalorin e gjuhës shqipe (fjalori.shkenca.org) por shumë rrallë.

Mendoj se ky libër është i mirë për disa grupe të lexuesve:

– Brezat që gjatë luftës kanë qenë moshë e pjekur. Për ta, ky libër është lexim terapeutik, përpunim i traumave në kuptimin e mirë, çlirim dhe vetëdijesim.

– Brezat më të rinj. Këta e kanë shansin ta lexojnë të dokumentuar periudhën e para-luftës, të luftës dhe të pas-luftës së fundit – në trajtë të një romani të këndshëm për lexim, por kujdes: nuk janë përralla, por të vërteta të bazuara tërësisht në përjetimet personale të autores.

– Shqiptarët nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, dhe në trojet më larg, si dhe diaspora: që t’i përmirësojnë dukshëm hartat e të vërtetës për kalvarin nëpër të cilin kemi kalu në Kosovë.

– Ndërkombëtarët që mirren me çështjen e Kosovës. Fatmirësisht, Teuta është në proces të botimit të librit në gjuhën angleze, edhe atë, nën përkujdesjen edhe të një lektori që e ka gjuhë amtare anglishten. Shumicës së ndërkombëtarëve nuk u intereson e vërteta e plotë e çështjes së Kosovës, por vetëm minimumi që u duhet për t’i kryer punët e veta. Por kjo çështje kaq e thellë nuk zgjidhet me quick-fix siç kanë dëshirë shpesh t’i zgjidhin problemet ata.

– Popujt tjerë ndërkombëtarë. Thjesht me kuptu një pjesë të të vërtetës së asaj që ka ndodhur këtu.

– Serbët që janë njerëz të mirë e në rrugë të drejtë. Ata, e kam përshtypjen, janë në masë të madhe të mjegulluar e të errësuar nga propaganda e serbëve të devijuar të cilët ende e mbajnë të kapur fort shtetin serb. Serbët e devijuar nuk pres se mund ta lexojnë një libër të tillë. Mundem vetëm të lutem për ta që të kthehen në rrugë të drejtë.

Për fund, dua t’i përmend qasjet e Veton Surroit dhe të Eckhart Tolles në pyetjen se si t’i qasemi të kaluarës ne, shqiptarët e Kosovës, dhe serbët e Serbisë:

“Jo duke akuzuar njëri-tjetrin, por duke e pranuar një narracion apo tregim të përbashkët. Ne nuk merremi me këtë, pasi kemi çështje që e kufizojnë jetën politike – e kemi Gjykatën Speciale, Marrëveshjet e Brukselit. Nuk mund të flasin për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe pa folur për raportet mes komunitetit serb dhe shqiptar”

https://www.koha.net/arberi/62080/surroi-serbia-duhet-ta-marre-pergjegjesine-per-ate-qe-ka-shkaktuar

Ndërsa Tolle, në librin e tij “Një tokë e re”, në këtë temë flet në terma të përgjithshëm për konflikte botërore:

‘Në nivel kolektiv, mendësia “Ne kemi të drejtë dhe ata e kanë gabim” është veçanërisht e betonuar në ato pjesë të botës ku konflikti ndërmjet dy popujve, racave, fiseve, religjioneve, apo ideologjive është i vjetër, ekstrem dhe endemik—tipik për vendin. Të dy anët e konfliktit janë baras të identifikuara me pikëpamjen e tyre, “storjen” e tyre, domethënë, të identifikuara me mendim. Të dyjat janë baras të paafta ta shohin se mund të ekzistojë një pikëpamje tjetër, një storje tjetër, dhe të jetë po ashtu e vlefshme. Shkrimtari izraelit Y. Halevi flet për mundësinë e “përshtatjes së një narrativi—rrëfimi konkurrues”, por në shumë pjesë të botës, njerëzit nuk janë ende të aftë apo të gatshëm ta bëjnë këtë. Të dy anët besojnë se ata janë në zotërim të të vërtetës. Të dyjat e shohin veten si viktimë dhe “tjetrën” si e keqja, dhe për shkak se e kanë konceptualizuar dhe prandaj çnjerëzuar tjetrin si armik, ata mund të vrasin dhe t’i shkaktojnë të gjitha llojet e dhunës në tjetrin, madje edhe në fëmijë, pa e ndier njerëzoren dhe vuajtjen e tyre. Ata bëhen të kurthuar në një spirale të çmendur të kryerjes së krimit dhe ndëshkimit, aksionit dhe reaksionit.’

Si përfundim, narrativi i përbashkët duhet të ndërtohet nga njerëzit e mirë, pavarësisht kombit, dhe këtë po e them përnjëmend!, e jo si klishe.

Ridvan Bunjaku

Tetor 2020

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s