I ashtuquajturi “Islamizëm”

Ka një keqkuptim themelor për Islamin. Është krijuar një asociacion i pasaktë i tij me terrorizmin, për shkak të qasjeve radikale të disa ndjekësve të tij dhe për shkak të përdorimit të copëzave të tij nga disa njerëz për t’i arsyetuar veprimet e veta, me apo pa vetëdije.

Abdel Haleem, në përkthimin e tij të Kuranit anglisht: “The Qur’an, A new translation”, Oxford world’s classics (Oxford University Press), originally published: 2004, e nis parathënien me këtë paragraf:

“Kurani është autoriteti suprem në Islam. Është burimi themelor dhe më i rëndësishëm i kredos, ritualeve, etikës dhe ligjeve të fesë islame. Është libri që ‘e bën dallimin’ ndërmjet të drejtës dhe të gabuarës, kështu që në ditët e sotme, kur bota muslimane po merret me çështje kaq universale si globalizimi, ambienti, luftimi i terrorizmit dhe drogës, çështjet e etikës mjekësore dhe feminizmi, evidenca për të përkrahur argumente të ndryshme kërkohet në Kuran. Ky status suprem buron nga besimi se Kurani është fjala e Zotit, shpallur Profetit Muhamed përmes krye-engjëllit Xhebrail (Gabriel), dhe i synuar për të gjitha kohët dhe vendet.”

Abdel Haleem është ndër përkthyesit më të saktë të Kuranit në gjuhën angleze. Ndër të tjera, ai është emëruar Oficer i Urdhrit të Perandorisë Britanike në Nderimet 2008 të Datëlindjes së Mbretëreshës, në shenjë njohjeje të shërbimeve të tij për kulturën arabe, letërsinë dhe mirëkuptimin ndërfetar.

(Burimi: https://en.wikipedia.org/wiki/Muhammad_Abdel-Haleem)

Më poshtë, te çështjet e interpretimit, Haleem vazhdon:

“Interpretimi komplikohet [tutje] nga stili tepër i ngjeshur i Kuranit. Një varg mund t’i përmbajë disa fjali shkurtimisht, stil proverbial, me referenca përemërore që i ndërlidhin ato me kontekst më të gjerë. Për më tepër formulimet proverbiale mund të nxirren nga teksti dhe të përdoren më vete, të izoluara nga konteksti i vet dhe të paudhëzuara nga referenca të tjera në Kuran që do të mund të ofronin shpjegim të mëtejmë. Edhe jo-myslimanët e etur për ta kritikuar Islamin edhe disa ekstremistë islamikë e kanë përdorur historikisht këtë teknikë për t’i arsyetuar pikëpamjet e veta.”

Një shembull eklatant që përdoret për ta paraqitur Islamin si radikal për nga natyra është vargu 9:5:

“Kur të mbarojnë [katër] muajt e ndaluar, kudo që t’i hasni idhujtarët, vritini, kapini, rrethojini, rrini në pritje për ta në çdo post vëzhgimi; por nëse kthehen [kah Zoti], falen rregullisht dhe i paguajnë bamirësitë e caktuara, lërini të shkojnë rrugës së vet, se Zoti është më falësi dhe mëshirëploti.”

Tani, kjo lë hapësirë të gjerë veprimi, se fjala idhujtar mund të interpretohet që nga idhujtarët në zota fizikë të shekujve të kaluar, deri tek idhujtarët në të ashtuquajturit VIP-a, apo në pasuri, seks e çka jo tjetër.

Le ta shohim kontekstin e plotë. Përmbledhja e kaptinës (sures) nga Abdel Haleem është:

9. PENDIMI (ET-TEUBE)

Sure Medinase që e merr titullin nga vargu 106. Surja hapet duke njoftuar për shkëputjen e traktatit me idhujtarët sepse ata e kishin prishur (shkelur) atë, por pjesa më e madhe e sures merret me përgatitjet dhe rekrutimet për ekspeditën në Tabuk, e cila u zhvillua në vapën e verës së AH 9 (631 CE). Hipokritët dhe ata që ndejtën prapa dhe dështuan ta përkrahin Profetin janë censuruar të gjithë. Kjo është surja e vetme që nuk fillon me formulën ‘Në emrin e Zotit, Zotit të Mëshirës, Dhënësit të Mëshirës’; ka një opinion se suret 8 dhe 9 janë në fakt vetëm një sure.

Pra konteksti është traktati midis Profetit dhe idhujtarëve, të cilin Zoti urdhëron ta shkëpusin, apo të çlirohen nga ai, meqë idhujtarët e kanë shkelur atë. Tani, vargu 9:5, bashkë me shpjegimet gjuhësore është kështu:

“Kur të mbarojnë [katër] muajt e ndaluar, kudo*(a) që t’i hasni idhujtarët*(b), vritini, kapini, rrethojini, rrini në pritje për ta në çdo post vëzhgimi; por nëse kthehen [kah Zoti], falen rregullisht dhe i paguajnë bamirësitë e caktuara, lërini të shkojnë rrugës së vet, se Zoti është më falësi dhe mëshirëploti.”

*(a) Brenda apo jashtë Shenjtores në Mekë. Shih shënimin ‘d’ në 2:191.

*(b) Në këtë kontekst, kjo definitivisht u referohet atyre që e shkelën traktatin. Nyja këtu është ‘ahdiya’ (specifike) duke iu referuar asaj që është thënë tashmë.

Po si është puna me 2:191 dhe shënimin ‘d’ atje? Le ta shohim edhe këtë në kontekst, prej 190 deri në 195:

190 Luftoni në çështjen e Zotit kundër atyre që ju luftojnë, por mos i tejkaloni kufijtë:  Zoti nuk i do ata që i tejkalojnë kufijtë. 191 Vritini ata kudo që t’i hasni*(d),  dhe dëbojini nga aty ku ju dëbuan, se përndjekja është më serioze se vrasja*(e).  Mos i luftoni ata në Xhaminë e Shenjtë pos nëse ata ju luftojnë aty. Nëse ju luftojnë, vritini – kjo është çka meritojnë jobesimtarët e tillë – 192 por nëse ndalen, atëherë Zoti është më falësi dhe mëshirëploti. 193 Luftojini ata deri kur të mos ketë më përndjekje, dhe adhurimi*(f) t’i përkushtohet Zotit. Nëse ata i ndalin armiqësitë, nuk mund të ketë armiqësi [të mëtejme], përveç ndaj agresorëve. 194 Një muaj i shenjtë për një muaj të shenjtë: shkelja e shenjtërisë [kërkon] ndëshkim të drejtë. Pra nëse kushdo kryen agresion ndaj jush, sulmojeni siç ju ka sulmuar, por jini të vetëdijshëm për Zotin, dhe dijeni se Ai është me ata që janë të vetëdijshëm për Të. 195 Shpenzoni në çështjen e Zotit: mos kontribuoni në shkatërrimin tuaj me duart tuaja*(g),  por bëni mirë, se Zoti i do ata që bëjnë mirë.

*(d) Myslimanëve u interesonte se a ishte e lejuar të hakmerreshin kur sulmoheshin brenda ambienteve të shenjta në Meka gjatë haxhit (shih 2: 196 dhe Tafsir-in e Razit)

*(e)   ‘Ata t’ju përndjekin në mënyrë të paligjshme është më keq se sa ju t’i vrisni ata në ambiente në vetë-mbrojtje.’ Nyja al- në arabisht nganjëherë e merr vendin e një përemri, si këtu ‘përndjekja e tyre’ dhe ‘ju t’i vrisni ata’ (Tammam Hassan, al-Bayan, Cairo, 1993, 118–45); nuk është al- e përgjithshme, krahaso me 2: 217. Shih edhe 2: 217.

*(f) Adhurimi në xhaminë e shenjtë.

*(g)  Nëse ata nuk janë të gatshëm ta paguajnë çmimin për t’u mbrojtur, atëherë do t’i sjellin shkatërrim vetes. Vargu po ashtu kuptohet përgjithësisht për ta ndaluar vetëvrasjen dhe format tjera të dëmtimit të vetes.

Pra, tani është e qartë që te 9:5 cak janë idhujtarët që e shkelën traktatin konkret me Muhamedin, e jo “të gjithë idhujtarët kudo që t’i hasni”. Ndërsa te 2:191 cak janë ata që i sulmojnë myslimanët brenda ambienteve të shenjta në Mekë gjatë haxhit. Pastaj: përndjekja (e kujtdoqoftë, por që është e paligjshme) është më e keqe se sa akti i vrasjes së përndjekësve në vetëmbrojtje. Dhe, te 195 është e qartë që çmimi për t’u mbrojtur është i madh, pra duhet të vrash, por është i domosdoshëm për ta parandaluar shkatërrimin e vetes.

E kam përshtypjen se presidenti i Francës, Macroni, dhe shumë të tjerë, nuk i kanë këto informata. Macroni, në homazhet për Samuel Paty-n, të cilit iu pre koka në mënyrë makabre nga dikush i asociuar me Islamin pasaktësisht, thotë:

“Të premten, Samuel Paty është bërë fytyra e Republikës, e deshirës sonë për të shkatërruar terroristët, për t’i mposhtur islamistët, për të jetuar si një komunitet i qytetarëve të lirë në vendin tonë. Fytyra e vendosmërisë sonë për të kuptuar, për të mësuar, për të vazhduar mësimin, për të qenë të lirë.”

Në këtë fjali, fjala “islamistët” është përdorur me nëntekstin “radikalë”, mirëpo kjo fjalë mungon, dhe rrjedhimisht është shumë çorientuese. Nëse e kërkojmë fjalën “islamist” në fjalor frengjisht-frengjisht:

https://glosbe.com/fr/fr/islamiste

Kemi: “Personne dont la croyance religieuse est l’Islam.”

Pra: “Personi besimi fetar i të cilit është Islami.”

E pse do të duhej të mposhteshin personat me besim fetar të të cilëve është Islami? Vetëm sepse dikush ka vrarë “në emër të Islamit” a?

Nëse i shikojmë fjalorët anglisht-anglisht:

https://www.dictionary.com/browse/islamist

“a supporter or advocate of Islamic fundamentalism”

Pra: “përkrahës apo avokues i fundamentalizmit islamik”. Kah na doli “fundamentalizmi” këtu?

https://www.macmillandictionary.com/dictionary/british/islamist

“someone who follows Islam very strictly”

Pra: “dikush që e ndjek Islamin shumë strikt”. Kah na doli “shumë strikt” këtu?

Nëse e verifikojmë kuptimin e prapashtesës -ist:

https://www.dictionary.com/browse/-ist

“a suffix of nouns, often corresponding to verbs ending in -ize or nouns ending in -ism, that denote a person who practices or is concerned with something, or holds certain principles, doctrines, etc.”

Pra: “një prapashtesë emrash, që shpesh korrespondon me foljet që mbarojnë me -ize ose emrat që mbarojnë me -ism, që tregojnë një person që praktikon ose ka të bëjë me diçka, ose mban disa parime, doktrina, etj”

Domethënë, “islam-ist” do të duhej ta kishte kuptimin e personit që e praktikon Islamin ose ka të bëjë me Islamin, ose mban parime islamike, doktrina islamike etj.

Mendoj se është esenciale që në diskursin publik fjalët të përdoren saktësisht, për të mos krijuar përshtypje të gabuar apo të pasaktë. Dhe këtu ka bërë dëm të madh emërtimi “Shteti Islamik”, të cilin bota e qytetëruar e ka përqafuar pa e analizuar fare. “Shteti Islamik” si organizatë ka konotacion terrorist dhe bota do të duhej të ishte më e kujdesshme, që gjithmonë t’i thotë “I ashtuquajturi Shtet Islamik” apo “I vetëquajturi Shtet Islamik” sepse ai nuk është në vijë me Kuranin dhe rrjedhimisht nuk është fare islamik. Përndryshe kemi të bëjmë me Programim Neuro-Linguistik (NLP) me, apo pa dashje, ku fjalët e krijojnë përshtypjen dhe rrjedhimisht bindjen e shtrembëruar, e cila po prodhon pështjellime të nivelit botëror.

Por cila është qasja sipas Kuranit për karikaturën fyese të Charlie Hebdo-s? Mendoj se mund të jetë 4:140:

140 Siç jua ka shpallur Ai tashmë juve [besimtarëve] në Shkrimin e Shenjtë, nëse i dëgjoni njerëzit duke e refuzuar dhe përqeshur shpalljen e Zotit, mos u ulni me ta pos nëse nisin të flasin për gjëra të tjera, përndryshe ju vetë do të bëheni si ta:*(a) Zoti do t’i mbledhë bashkë të gjithë hipokritët dhe mosbesimtarët në Ferr.

*(a) Shih 6: 68 — një sure e mëhershme, Mekase.

Kjo na çon te 6:68:

68 Kur has njerëz që flasin me përçmim për shpalljet Tona, largohu nga ta deri kur të kalojnë në temë tjetër. Nëse Satani të bën të harrosh, atëherë, kur të kujtohesh, mos u ul me ata që po bëjnë gabim.

Pra, kjo është: largohu nga ta deri kur të kalojnë në temë tjetër. Jo “pritjani kokën” si Mbretëresha e Zemrave te Liza në Botën e Çudirave. Ju lutem, kjo botë mund të jetë shumë e çuditshme, por assesi nuk është Bota e Çudirave e Lewis Carroll.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s