Serialin Rrushe ia nisa me kqyrë spontanisht me familje. Nuk kâm pritë vdekje në pothuaj çdo episod. E rândë, por kur hyn në valle…
Megjithatë, përkundër kompresimit të shumë ngjarjeve e vijave, përgjithësisht çdo gjë ishte e arsyeshme. Skenari i përfshin temat kryesore të Kosovës së para-luftës e të pas-luftës, kontinuumin ndërmjet ekstremeve nga profiteri e oportunisti deri te heroi vetëmohues e flijues pa kushte, të gjitha grupmoshat kryesore dhe profesionet e ndershme e të pandershme të shoqërisë.
Regjisori ka gisht në realizimin e qëlluar të skenave, me një grup të shkëlqyeshëm aktorësh që i kanë gdhendur mirë personazhet e veta. Edhe kamera e muzika ishin në nivel.
Ky serial troket në ndërgjegjen e secilit shikues: nga brezat më të ri që me gjasë nuk janë të informuar mirë për kontekstin e para-luftës, te brezat e mesëm që me gjasë nuk jemi të informuar mirë as për kontekstin e para-luftës as të pas-luftës, e deri te brezat e moçëm që nuk janë të informuar mirë për kontekstin e pas-luftës por që kanë kalu nëpër krejt ato sfida të para-luftës, direkt apo indirekt.
Skenari ka elemente të Romeos e Xhulietës me dy të rinj të dashuruar që u përkasin familjeve në hasmëri të moçme, por mendoj se çdo film apo serial e ka vështirë t’u ikë paternave kryesorë.
Në përgjithësi mendoj se është vlerë e shtuar vetëdijesuese për shoqërinë tonë, veçanërisht në këtë kohë kalimtare kur brezave të rinj duhet t’ua bartim të vërtetën e plotë, që të mos na përsëritet historia e përsëritur sa e sa herë.
Ridvan Bunjaku
Shtator 2021