(Vështrim për filmin “Zgjoi”)
Ky tregim flet përmes mungesave. Mungesa që janë pasojë e krimeve në Kosovë. Një burrë që s’i dihet fati – mungon në një familje. Kjo ka pasoja katastrofale. Duhet riorganizim i familjes nga themeli. Ky riorganizim duhet edhe në nivel të bindjeve e traditave. Fati në fatkeqësi.
Filmi ia ka dalë me prodhu tregim të thjeshtë, autentik, të kapshëm për çdo njeri në botë, dhe shumë interesant. Pronari i marketit nga Shqipëria tregon se dikush “i jashtëm” ndihmon për me lehtësu transformimin e brendshëm.
Filmi godet direkt në ndërgjegjen e shqiptarëve të Kosovës që ende reklamojnë Plazma nëpër televizione “se tregu nuk njeh etni”, që ende i shikojnë këto reklama dhe nuk reagojnë, që ende blejnë Plazma, e nuk e blejnë ajvarin e Krushës, se nuk është në rafte të marketeve, se nuk e dinë këtë tregim… epo tash e dimë!
Filmi godet edhe në ndërgjegjen e politikanëve që i lanë krejt këto çështje të pa-adresuara dhe i ranë “linjës së përpjekjes më të vogël”, i qepuan hedonizmit etj. Po ashtu godet edhe në ndërgjegjen e politikanëve të rajonit, veçanërisht të Shqipërisë, dhe ata ndërkombëtarë, megjithëse këta mund të ndihen më pak të përgjegjshëm.
Ky film e shënon ngritjen e vetëdijes kolektive në nivelin tjetër – vetëdijes kolektive shqiptare, dhe sadopak, vetëdijes kolektive rajonale e botërore.
Dhjetor 2012