Daniel Serwer: Qe çka duhet bërë në lidhje me politikën e SHBA për Ballkanin

11 qershor 2023 (e përktheu: Ridvan Bunjaku)

Chris Hill, ambasadori i Amerikës në Serbi, e dha një intervistë javën e kaluar për Zërin e Amerikës:

Çka nuk shkon me këtë imazh

Këtu e kemi një ambasador amerikan në një shtet duke e sulmuar punën e Kryeministrit të një shteti fqinj. Më mjafton kjo të irritohem pakëndshëm. Është joprofesionale, por jo vetëm kaq. Kjo ia vështirëson punën edhe kolegut të tij në Prishtinë. Herën e fundit që zyrtarët amerikanë e shkatërruan kryeministrin Kurti dhe madje e organizuan rënien e tij nga pushteti, ai u kthye pas zgjedhjeve me një mandat të ripërtërirë dhe me një shumicë të zgjeruar. Ai ka lënë të kuptohet së fundmi se mund të thërrasë zgjedhje të parakohshme, me sa duket duke shpresuar që në këtë mënyrë t’u tregojë amerikanëve se e ka mbështetjen e qartë të shumicës së Kosovës.

Hilli po ashtu e lavdëron presidentin e Serbisë, shtetit në të cilin është akredituar, edhe pse Vuçiq ka mobilizuar trupa dhe i ka çuar në kufirin e Kosovës. Atje ata u përballën me forcat e udhëhequra nga NATO, përfshirë amerikanët, që janë përgjegjës për mbrojtjen e jashtme të Kosovës. Kjo është shkelje e qartë e Marrëveshjes së normalizimit të shkurtit ndërmjet Beogradit e Prishtinës, për të cilën amerikanët thonë se është ligjërisht e obligueshme. Ajo e ndalon kërcënimin apo përdorjen e forcës (Neni 3).

Në vend se ta denoncojë këtë shkelje, Hilli e përmend se serbët e Kosovës kanë luajtur lojëra miqësore me forcat e NATO-s. Kjo nuk është befasuese. Serbët e Kosovës e dinë se NATO i mbron ata si dhe shqiptarët në jug të lumit Ibër. Ishin në radhë të parë bandat serbe që i çoi presidenti Vuçiq nga Beogradi ato që e bënë punën e pistë të sulmit ndaj ushtarëve të NATOs. Për këtë, ambasadori Hill nuk thotë asgjë.

Ta shohim a do t’i mbushet mendja Vuçiqit

Ai megjithatë bën presion për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe brenda Kosovës. Ky propozim u miratua në vitin 2013. Quid pro quo (shkëmbimi për këtë) ishte shtrirja e sundimit të ligjit sipas kushtetutës së Kosovës në tërë territorin e saj. Beogradi, megjithatë, nuk e ka lejuar atë shtrirje. Ai i ka rezistuar përpjekjeve të Prishtinës për t’i bërë serbët në veri të Kosovës t’i përdorin targat e Kosovës, i ka tërhequr zyrtarët nga institucionet e Kosovës në veri, e ka mbështetur dhe e ka detyruar bojkotin serb të zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe i ka mirëmbajtur atje forcat klandestine serbe të sigurisë, të cilat bashkëpunojnë me protestuesit e dhunshëm të dërguar nga Beogradi. Jo të gjithë ata që duan t’i kuptojnë ankesat serbe janë aq të verbër sa ambasadori ndaj asaj që po ndodh në veri.

Në kushtet aktuale, ka pak dyshim se krijimi i Asoc.Kom.Sh.S. do ta formalizonte kontrollin e Beogradit mbi Kosovën veriore. Megjithatë, mendoj se Prishtina duhet ta paraqesë propozimin e saj për AKSHS. Kryeministri Kurti e ka përmendur si model të mundshëm Këshillin Kombëtar Serb në Kroaci. Ai duhet ta shprehë atë apo propozimin e tij në një propozim me shkrim në përputhje të plotë me kushtetutën e Kosovës, siç kanë garantuar amerikanët që çfarëdo AKSHS-je duhet të jetë. Ta shohim a do t’i mbushet mendja Vuçiqit. Edhe nëse i mbushet mendja, garancia amerikane duhet të jetë me shkrim me një angazhim për ta monitoruar implementimin në baza të rregullta.

Çka tash?

Ankesat publike për politikën aktuale amerikane në Ballkan janë bërë të shumta. Askush në Departamentin e Shtetit nuk po dëgjon. Megjithatë, ka shumë zyrtarë qeveritarë në Departamentin e Shtetit që nuk ndjehen rehat me verbërinë ndaj keqbërjeve të Serbisë dhe krikave të ashpra publike të Amerikës ndaj Kosovës. Është koha që ata të mblidhen për t’ia dërguar një mesazh të mospajtimit të fuqishëm përmes kanalit të kritikës konstruktive (Dissent Channel) që ia tregon Sekretarit Blinken atë që duhet ta dijë. Udhëheqësia e tij ballkanike po bën gabime serioze. Ai duhet ta urdhërojë një rivlerësim të shpejtë dhe një korrigjim të drejtimit.

PS: Madje edhe për Departamentin e Shtetit, komentet e Hillit për Kurtin ishin të tepërta. Kështu që Gabe Escobar-it iu desht t’i korrigjonte ato, mendoj dje:

Shqip: I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Escobar tregon se është e pavërtetë deklarata e ambasadorit Hill:

“Më duhet ta sqaroj se zotëri Kurti është partner. Ai është partner i vështirë nganjëherë por ai është partner. Kosova është partner.”


Nuk jam i sigurt pse i bie Gabe Escobar-it ta pranojë gabimin.

Burimi:

Here’s what to do about US Balkans policy

Lini një koment