Daniel Serwer: Po synoni tepër lart dhe po anoni tepër shumë

21 qershor 2023 (e përktheu: Ridvan Bunjaku)

Nganjëherë shoh ëndrra me sy hapur. Ja ëndrra ime me sy të hapur për atë se çka do t’u thosha negociuesve të SHBA dhe BE me Kosovën e Serbinë:

Zotërinj: Kriza aktuale në Kosovë krijon sfida të frikshme. Ju uroj sukses në menaxhimin e tyre.

Por gjithashtu përballeni edhe me sfida në procesin më të gjerë të normalizimit që e keni nisur.

Dështimi është një nga opsionet

Aty po mendoj se po dështoni.

Nuk e kam fjalën për kryeministrin Kurti. Padyshim që po dështoni me të.

Por po dështoni edhe me presidentin Vuçiq.

Nuk po e shoh asnjë provë që ai të jetë afruar një centimetër më afër Perëndimit në vitet e fundit, qoftë brenda vendit apo ndërkombëtarisht.

Ai po e qeveris Serbinë në mënyra gjithnjë e më autokratike dhe po kërkon ta kontrollojë popullsinë serbe në vendet fqinje.

Ai ka vazhduar ta ndërtojë një rrjet të marrëdhënieve ushtarake dhe të sigurisë me Moskën, si dhe marrëdhënie të sigurisë dhe ekonomike me Pekinin.

Ai tani ulet në tre stola.

Leva e çuar dëm

Po, Serbia është ende shumë më e varur nga BE-ja sesa nga Rusia apo Kina për tregti dhe investime, por BE-ja ka bërë pak për ta shfrytëzuar levën e saj.

Ai (BE) pengohet nga struktura e tij konsensuale dhe pesë shtetet anëtare që nuk e njohin Kosovën.

SHBA-ja e ka ushqyer Vuçiqin kryesisht me karrota. Ne e lavdërojmë atë si partner, rrallë e përmendim manipulimin e tij mediatik ose korrupsionin e afërt me të, përmbahemi nga pohimi i asaj që e dimë për kontrollin e tij të banditëve që e dominojnë veriun e Kosovës dhe e sulmuan KFOR-in, dështojmë ta kritikojmë për mobilizimin e forcave ushtarake dhe për ta ringjallur bashkëpunimin me Gardën Kombëtare.

Ne ia bëjmë edhe nderin e një vizite nga Administratori i USAID-it, një i përkushtuar i demokracisë dhe ekspert i krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, por më pas ai darkon me një kriminel lufte të dënuar.

Uashingtoni e vlerëson në mënyrë të kuptueshme lejimin e Vuçiqit që armët të shkojnë në Ukrainë. Kjo zor se është sakrificë nga ana e tij.

BE-ja dhe SHBA-ja po e ndjekin me entuziazëm të zjarrtë misionar prioritetin kryesor të Vuçiqit, Asociacionin e Komunave me shumicë serbe (AKSHS) brenda Kosovës. Por ofrojnë pak në këmbim, veç një premtim për ripërtrirjen e përpjekjeve tashmë të dështuara për të fituar njohjen ndërkombëtare për Prishtinën.

BE-ja pretendon se ekzistojnë 16 marrëveshje si AKSHS në Evropë. Megjithatë, të gjitha dhe secila nga to është në një shtet të njohur nga fqinjët e tij.

Me njohjen nga Serbia, Kosova duhet të jetë e lumtur ta organizojë një AKSHS si ato të tjerat.

Nevojitet rivlerësim

Qasja juaj aktuale ndaj normalizimit nuk do të funksionojë: ajo synon tepër lart dhe anon tepër shumë.

Vuçiq nuk është i gatshëm ta pranojë integritetin territorial të Kosovës, e aq më pak sovranitetin e saj. Ju duhet t’i ulni pritjet dhe ta rregulloni strategjinë tuaj.

Ajo që do të funksionojë me Serbinë është më pak karrota dhe më shumë shkopinj.

Ajo që do të funksionojë me Kosovën është më pak shkopinj dhe më shumë karrota.

Vazhdimi me qasjen tuaj aktuale rrezikon ta minojë normalizimin dhe të shkaktojë destabilitet serioz rajonal. Bosnja po shkon drejt ndarjes de facto. Mali i Zi po shkon drejt nënshtrimit ndaj Serbisë.

Pra, pyetja ime është kjo: a jeni të përgatitur, përpara se dështimi të jetë i plotë, ta bëni një rivlerësim të plotë të strategjisë suaj aktuale? A do të konsultoheni gjerësisht se si të shtyni përpara para se të shtyheni prapa? A jeni të gatshëm të rimendoni para se të shkaktoni më shumë probleme në Ballkan sesa të zgjidhni?

PS: E bëra këtë intervistë për N1/BiH të mërkurën e kaluar.

Burimi:

You aim too high and tilt too far

Lini një koment