Daniel Serwer: Seancë e mirë shqyrtuese, sikur të dëgjonte Administrata

19 korrik 2023 (e përktheu: Ridvan Bunjaku)

Komisioni për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve në seancën e djeshme e ngriti alarmin për situatën në Ballkan. Anëtar pas anëtari i përmendën shqetësimet. Ata shqetësoheshin për përshkallëzimin e tensioneve etnike dhe për paqëndrueshmërinë, për keqbërjet zyrtare ruse, për shkeljet e dëmshme kineze, për dështimin e Serbisë e të Kosovës për t’i zbatuar marrëveshjet, për dështimin për t’i zbatuar vendimet e gjykatave dhe lëvizjet secesioniste (separatiste, shkëputëse) në Bosnje e Hercegovinë, për korrupsionin endemik dhe për ekonomitë që po dobësohen. Ata mund t’i kenë përmendur edhe vërshimet e konsiderueshme të emigrantëve nga rajoni.

Ishte veç një person për të dëshmuar: Gabe Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretar. Përkundër disponueshmërisë së shumë njerëzve të besueshëm që kanë pikëpamje kontrastuese, Kongresi për fat të keq ka zgjedhur që në këtë seancë dhe atë para kësaj të dëgjojë veç nga Administrata. Kongresmeni Issa (R-CA) ishte shumë i etur ta vajtojë këtë gjë.

Thuaje shpejt dhe me vetëbesim

Gabe e përmendi shpejt pranimin në BE si objektivin e SHBA, pa e vënë në dukje kredibilitetin e dobësuar të këtij shansi dhe gjasat e vogla që kjo do të ndodhte ndonjëherë në të ardhmen e parashikueshme. Ai pohoi vendosmërisht se marrëveshja “depërtuese” e normalizimit (e Ohrit) e arritur në shkurt dhe aneksi i shtuar në mars janë gjëra kritike. Por dështoi ta vërë në dukje se Serbia ka refuzuar t’i nënshkruajë të dyjat dhe shpejt i ka shkelur ato.

Ai këmbënguli që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe ta koordinojë kulturën, arsimin dhe shërbimet publike si themel i rëndësishëm. Por dështoi ta shpjegojë pse SHBA-të nuk kanë këmbëngulur në quid pro quo (shkëmbimin për këtë) për të cilin është rënë dakord po ashtu në vitin 2013. Ai ishte shtrirja e kushtetutës së Kosovës në komunat e veriut me shumicë serbe. Beogradi e ka bllokuar vazhdimisht këtë në mënyra të ndryshme.

Gabe e vuri në dukje marrëveshjen e supozuar të Kosovës dhe Serbisë për t’i njohur dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës. Por e neglizhoi ta vërë në dukje se ky është problem kryesisht në Serbi. Ai e përsëriti idenë e rreme – që përhapet qëllimisht për të dëmtuar – se Serbia nuk do të lobonte më kundër integrimit ndërkombëtar të Kosovës. Presidenti serb Vuçiq është zotuar të mos e përmbushë këtë dispozitë. Beogradi dështoi ta respektojë atë në Këshillin e Evropës disa ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Në Bosnje, Gabe i përmendi aktivitetet anti-Dejton të Milorad Dodikut. Por ai nuk dinte si ta shpjegonte se si SHBA do ta bënte Evropën të bashkohej në sanksionet kundër tij. Ai e përmendi mbështetjen e tepruar në rajon në energjinë ruse. Mirëpo, dështoi ta vërë në dukje se Serbia është fajtorja kryesore në këtë drejtim.

Marrja në pyetje ishte e mirë

Kryetari Kean (R-NJ) donte ta dinte se a do të ushtrojë SHBA presion të fortë ndaj Presidentit Vuçiq nëse Kryeministri i Kosovës vazhdon me Asociacionin e KShS. Gabe e tha një “absolutisht” të shpejtë dhe konfidente dhe vazhdoi të pretendojë se marrëveshja kërkon që Serbia ta njohë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Këtë [marrëveshja] nuk e bën, qartas. Ai shtoi se Serbia ka pranuar që t’i largojë protestuesit dhe të marrë pjesë në zgjedhjet e reja për kryetarë të komunave në veri të Kosovës.

Supozoj se kjo do të mund të ishte e vërtetë në kanalet diplomatike, por ku është evidenca në pjesën publike? A do ta besonit këtë vetëm disa muaj pas zgjedhjeve të mbajtura sepse Beogradi ra dakord që serbët të merrnin pjesë, por ata pastaj bojkotuan? Gabe vazhdoi duke thënë se ata demonstrues që i sulmuan gazetarët, policinë e Kosovës dhe NATO-n duhet të ndëshkohen. Ku është kërkesa publike e SHBA që Beogradi, që i urdhëroi trazirat, t’ia dorëzojë ata sistemit të drejtësisë në Kosovë?

Anëtari i ranguar Keating (D-MA) u fokusua te Kina. Gabe i theksoi me të drejtë kushtet politike të Pekinit por e vuri shpresën e tij tërësisht në BE për të nisur (një ditë) procedura kontraktuese që do ta kundërshtonin Pekinin dhe do t’i mbanin projektet të hapura për konkurrentët e SHBA.

Sanksionet

Përfaqësuesja Wagner (R-MO) e nënvizoi aktin e saj dypartiak “Mirëmbajtja e Marrëveshjeve të Paqes së Dejtonit përmes sanksioneve”. Gabe u zotua ta përkrahë atë dhe ta parandalojë që financimi të arrijë tek ata që po përpiqen ta çmontojnë Bosnjën (si shtesë ndaj mbështjetjes për EUFOR dhe HiRep). Kjo tingëlloi serioze. Mbase Departamenti i Shtetit e ka kuptuar më në fund se të qëndruarit të heshtur ndaj Dodikut nuk është strategji fituese. Kongresmenja e bëri të qartë se donte që Hungaria të bindet që t’i lejojë sanksionet e BE-së ndaj Dodikut.

Kongresmeni Titus (D-NV) u fokusua në dezinformimin rus dhe shtypin e lirë. Gabe e anashkaloi shansin për t’i fokusuar kritikat në Serbi, e cila ka përjetuar rënie të gjatë në lirinë e shtypit dhe ngritje dramatike të dezinformacionit rus.

Kongresmeni Huizenga (R-MI) pyeti për Serbinë që po blen armë kineze dhe ruse. Gabe pretendoi se Serbia i kishte zvogëluar “në mënyrë të konsiderueshme” blerjet e saj nga Rusia në përgjigje të kërcënimit të sanksioneve, por e ka rritur blerjen nga Kina (e cila nuk mbulohet nga sanksionet “CAATSA” në fjalë). Huizenga pyeti edhe për pesë shtetet mosnjohëse të BE. Gabe e shfrytëzoi rastin të pretendojë në mënyrë të mjegullt se veprimi kah Asociacioni i KSHS do të ishte i dobishëm.

Kongresmeni Self (R-TX) u fokusua në inkurajimin që Presidenti Vuçiq e bëri për bojkotimin e zgjedhjeve, dhe në importin e armëve të rënda nga Rusia. Pse nuk kemi sanksione ndaj Serbisë tash? Gabe u përpëlit duke pretenduar se ai nuk i kontrollonte sanksionet CAATSA dhe se në Ballkan ishin përdorur sanksione të tjera, duke neglizhuar ta përmendte se ato nuk janë përdorur ndaj Serbisë. Self e bëri të qartë se e konsideron Serbinë si përfaqësuese e Rusisë që vepron për të në Ballkan.

Kongresmeni Moran (R-TX) pyeti për Malin e Zi. Mjerisht, Gabe nuk ishte në dijeni për rrugën bregdetare të sapokontraktuar atje që do ta ndërtojnë kinezët dhe gabimisht mendoi se ishte autostrada tashmë e ndërtuar veri/jug. Ai po ashtu e shfrytëzoi rastin të theksojë se qeveria e re e Malit të Zi do ta bëjë Podgoricën kandidate të shpejtë për anëtarësim në BE, dhe presidentin e tij të ri si “proamerikan”. Nuk po shoh ende ndonjë garanci për këto dy përshkrime.

Komision i informuar mirë, por Administrata nuk po dëgjon

Të informuar mirë, anëtarët e Kongresit bënë pyetje të mira. Përgjigjet e Administratës ishin më pak bindëse. Ato vazhdimist u shmangeshin çdo kritike serioze të Serbisë dhe vazhdonin ta mbanin Kosovën kryesisht, nëse jo ekskluzivisht, përgjegjëse për dështimin e plotë. Nuk kishte asnjë shenjë se Gabe po i dëgjonte indikacionet e përsëritura se nevojitet një qasje më e ashpër me Serbinë.

Dy lëshime të dukshme. Gabe nuk e përmendi Ballkanin e Hapur, një iniciativë e Beogradit që duket se ka vdekur si vdekje e merituar. Por idetë e këqija nuk vdesin kurrë në Ballkan. Ato kthehen si zombi për ta ndjekur rajonin. Thjesht pritni disa vjet, apo mbase muaj. Do të kthehet, bashkë me ndarjen.

Nëse nuk më ka ikur, Gabe gjithashtu dështoi ta përmendë drejtorin serb të sanksionuar së fundmi të Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë. Askush nuk pyeti se çka do të bëjmë në lidhje me Aleksandar Vulinin. Ky ishte lëshim fatkeq.


Burimi:

A good hearing, if the Administration were listening

Lini një koment