Thomas Cleary për Kuranin

Kurani njihet universalisht si libri i shenjtë i Islamit, feja e nënshtrimit ndaj vullnetit të Zotit. Kapitujt dhe vargjet në këtë vëllim të ekstrakteve nga Kurani janë zgjedhur për ta formuar një rruzare të leximeve dhe recitimeve që synojnë ta njoftojnë lexuesin jo-mysliman me urtinë thelbësore, bukurinë dhe madhështinë e këtij libri të shenjtë.

Kurani është në mënyrë të pamohueshme libër me rëndësi të madhe madje edhe për jo-myslimanët, mbase sot më shumë se kurrë, nëse kjo është e mundur. Një aspekt i Islamit që është i papritur e megjithatë tërheqës për mendjen sekulare post-kristiane është ndërloja harmonike e besimit dhe arsyes. Islami nuk kërkon besim të pa-arsyeshëm. Në vend të kësaj, fton për besim inteligjent, që del nga vëzhgimi, reflektimi dhe zhytja në mendime, duke filluar me natyrën dhe atë që është kudo rreth nesh. Prandaj, antagonizmi midis fesë dhe shkencës si ai që është i njohur për perëndimorët është i huaj për Islamin.

Kjo lidhje ndërmjet besimit dhe arsyes ia mundësoi qytetërimit islam të përthithë dhe të gjallërojë dije të dobishme, duke i përfshirë edhe ato të popujve të lashtë, me të cilën pas një kohe e ndihmoi Europën të dalë nga Epoka e Errët, duke i hedhur themelet për Rilindjen. Mirëpo, kur Europa u ngrit në këmbët e veta kulturore dhe e dëboi Islamin, mendja europiane u shqye nga paaftësia e Kishës së krishterë për ta toleruar pandashmërinë e të shenjtës dhe sekulares që e karakterizonte Islamin dhe ia kishte mundësuar qytetërimit islam ta zhvillojë shkencën natyrore dhe artin abstrakt si dhe filozofinë dhe shkencën shoqërore. Rezultati ishte një divorc i dhembshëm, fatkeq ndërmjet shkencës dhe fesë në Europë, asi me pasojat që kanë ndikuar negativisht në mbarë botën.

Në Perëndimin e pas-krishterë – ku njerëzit mendimtarë, përfshirë prapë edhe vetë shkencëtarët, po kërkojnë zgjidhje për vështirësitë e krijuara nga divorci i krishterë ndërmjet fesë dhe shkencës – Kurani e ofron një mënyrë të eksplorohet një qasje që e përqafon plotësisht kërkimin për dije dhe kuptim që është thelbi i shkencës, gjersa në të njëjtën kohë, dhe në të vërtetë për arsyet e njëjta, e përqafon plotësisht frikë-respektin, përulësinë, nderimin dhe vetëdijen pa të cilën “njerëzimi vërtet shkon tepër larg në konsiderimin e vetes si i vetë-mjaftueshëm” (Kuran 96:6-7).

Madje edhe për perëndimorin sekular, pavarësisht nga çfarëdolloj pyetje të besimit fetar, ka përfitime të menjëhershme për t’u gjetur në leximin e Kuranit. Së pari, duke e pasur parasysh shenjtërinë dhe rëndësinë jetike të Kuranit për afërsisht një të pestën e tërë njerëzimit, një qytetar mendimtar i botës vështirë mund të zhvillojë vetëdijesi racionale dhe të pjekur shoqërore pa e marrë parasysh mesazhin e Kuranit dhe kuptimin e tij për komunitetin mysliman.

Me rënien e komunizmit, është bërë veçanërisht e qartë se paqja globale, rendi dhe vetë-vendosja e popujve nuk mund të arrihet pa respekt inteligjent për Islamin dhe të drejtën e patjetërsueshme të myslimanëve për ta jetuar fenë e vet. Përfitimi i dytë i menjëhershëm në leximin e Kuranit, pra, është se është hap i nevojshëm drejt kuptimit të tolerancës pa të cilën paqja botërore është në fakt e paimagjinueshme.

Për jo-myslimanët, një përparësi e veçantë në leximin e Kuranit është se ofron pikë autentike të referimit nga e cila mund të shqyrtohen stereotipet e anuara të Islamit ndaj të cilave ekspozohen zakonisht perëndimorët. Informacioni parësor është thelbësor për ta bërë dallimin ndërmjet opinionit dhe faktit në mënyrë të arsyeshme. Ky ushtrim gjithashtu mund t’ia mundësojë individit mendimtar ta kuptojë natyrën qenësisht defektive të vetë paragjykimit, dhe kështu të jetë përgjithësisht më pranues ndaj tërë informacionit dhe dijes me dobi të mundshme për njerëzimin.

Kurani

Emri Kuran domethënë Recitimi apo Leximi. Sipas vetë fjalës së vet, Kurani është Libër i shpallur në traditën shpirtërore të Teuratit dhe Ungjillit të transmetuar nga Moisiu-Musai dhe Jezusi-Isai. Duke e lidhur veten dhe këta paraardhës të shquar me sisteme fetare edhe më të hershme të fesë origjinale, Kurani i paraqet mësimet e veta si vërtetuese dhe qartësuese të të vërtetës së asaj që ishte në ato mesazhe.

Kurani është në mënyrë të pamohueshme unik në këtë traditë, dhe vërtet unik në tërë kontekstin e traditës së shenjtë klasike në të gjithë botën, në atë që është shpallur në dritën e plotë të historisë, përmes zyrave të një Profeti që ishte i njohur mirë.

Si lidhja e fundit në një zinxhir të shpalljes që kthehet prapa në kohë të stërlashta, madje deri te vetë origjina e njerëzimit, Kurani e ka funksionin e veçantë të rikujtimit të mesazhit esencial të të gjithë Librave të shpallur dhe të dallimit të kësaj nga opinionet dhe reagimet e shtuara nëpër tekstet antike, shpërndarja origjinale e të cilave kishte ndodhur në kohë të largëta dhe madje të panjohura.

Prandaj Kurani nuk quhet veç Leximi apo Recitimi por edhe Kriteri: quhet Kujtues dhe po ashtu Qartësim. Një pasardhës bashkëkohor i Profetit Muhamed shkroi për këtë fushëveprim dhe funksion të Librit në këto terma:

“Kurani nuk është gjë tjetër veçse librat e vjetër të pastruar nga aliazhi njerëzor, dhe i përmban të vërtetat transcendente të mishëruara në të gjitha shkrimet e shenjta me shtesa të plota, të nevojshme për zhvillimin e të gjitha zotësive njerëzore. I përsërit të vërtetat e dhëna në Vedat e Shenjta, në Bibël, në fjalët e Gitës, në thëniet e Budës dhe të gjithë profetëve të tjerë, dhe e shton atë që nuk ishte në to, dhe jep ligje të reja për t’iu adresuar pasigurive të kohës së tashme kur anëtarët e ndryshëm të familjes së Zotit që jetonin të ndarë nga njëri-tjetri në ditët e shpalljeve të vjetra ishin afruar me njëri-tjetrin.”

(Sirdar Ikbal Ali Shah, Islamic Sufism (New York: Samuel Weiser, 1971),  f. 41)

Për shkak se Kurani i sintetizon dhe i përsos shpalljet e mëhershme, funksioni i tij si Kriter për ta bërë dallimin ndërmjet të vërtetës dhe gënjeshtrës nuk kryhet në formën e pohimit apo ndëshkimit dogmatik të një feje apo një tjetre, por në formën e dallimit ndërmjet dredhisë njerëzore dhe kuptimit esencial të fesë, ndërmjet hipokrizisë dhe besimit të vërtetë. Kështu i njëjti shkrimtar shpjegon: “Kurani e quan veten Hakam – ‘gjykatës’, për të vendosur ndërmjet të krishterit dhe të krishterit, ndërmjet hindusë dhe hindusë, ndërmjet budistit dhe budistit, dhe kështu edhe bëri.” (Po aty, f. 43). Observimi se Kurani e bën dallimin e ndryshimeve brenda ithtarëve të secilit sistem fetar, e jo ndërmjet vetë sistemeve fetare per se, duket të jetë çelës për t’iu qasur Kuranit pa anim fetar.

Kurani nuk do të mund të funksiononte në këtë mënyrë në kontekstin e feve botërore po të ishte jo më shumë se koleksion i dogmave apo doracak i një sekti a kulti të ri. Kurani i flet njerëzimit si tërësi, kombeve, komuniteteve, familjeve dhe individëve; i kompletuar edhe me mësim të jashtëm edhe me mësim të brendshëm, u flet edhe personave dhe shpirtrave, individualisht dhe kolektivisht. Një pasardhës bashkëkohor i Profetit shkruan për thellësinë e pakontestuar, begatinë dhe gjerësinë e qenësishme të Kuranit në këto terma:

“Për sufitë e periudhës klasike, Kurani është dokumenti i koduar që i përmban mësimet sufiste. Teologët priren të supozojnë se ai është i aftë për interpretim veç në mënyrë konvencionale fetare; historianët priren të kërkojnë burime më të hershme letrare apo fetare; të tjerët kërkojnë evidencë të ngjarjeve bashkëkohore të reflektuara në faqet e tij. Për sufitë, Kurani është dokument me shumë nivele të transmetimit, ku secili e ka një kuptim në përputhje me kapacitetin e lexuesit për kuptim. Është ky qëndrim ndaj librit që e bërë të mundur kuptimin ndërmjet njerëzve që ishin me prejardhje formalisht të krishterë, pagane apo hebreje –  një ndjesi të cilën fetarët e hershëm nuk mund ta kuptonin. Kurani në një kuptim është pra dokument me rëndësi psikologjike.”

(Idries Shah, The Sufis (New York and London: Doubleday, 1964), f. 412.)

Këtu përsëri mund të shihet se përparësia më e vogël e mundshme që mund ta nxjerrim nga leximi i Kuranit është shansi për ta shqyrtuar subjektivitetin tonë në kuptimin e një teksti të kësaj natyre. Kjo mund të ketë pasoja të rëndësishme edukative, edhe të menjëhershme edhe afatgjata, që vështirë mund të nxirren thjesht duke i përvetësuar opinionet dhe qëndrimet e pranuara pa të menduar dhe reflektim individual.

Ardhja e Kuranit

Siç dihet, Kurani u shpall përmes Profetit Muhamed, që ishte lindur rreth vitit 570. Muhamedi ishte nga fisi fisnik Kurejsh, kujdestarët e faltores së shenjtë të Mekës, që besoet se është ndërtuar nga Ibrahimi (Abrahami) në të shkuarën e largët.

I mbetur jetim në moshë të re, Muhamedi u bë i ri i matur e i përgjegjshëm, i njohur për besueshmërinë e vet. Kur ishte njëzet e pesë vjeç, u martua me punëdhënësen e vet, një biznesmene e suksesshme të cilës i kishte bërë shumë përshtypje mirësia e Muhamedit.

Shpallja e parë erdhi kur Muhamedi ishte dyzet vjeç, njeri i pjekur me karakter pa asnjë cen. Ajo ndodhi gjatë njërës nga tërheqjet e tij medituese periodike në një shpellë malore jashtë Mekës. Larg nga të krekosurit nga përjetimi, Muhamedi ishte plot frikë dhe hezitues; nxitoi në shtëpi te gruaja e vet dhe ia zbuloi në ankth se çka i kishte ndodhur. Duke ia kujtuar atij virtytet e tij të njohura, ajo e siguroi se ai nuk ishte i çmendur. Pastaj e çoi te një kusheri, një i krishterë, që i dëgjoi fillimet e Recitimit dhe deklaroi se janë të të njëjtës Të Vërtetë si ajo që është sjellë nga Moisiu dhe Jezusi.

Myslimanët e parë ishin anëtarët e shtëpisë së Muhamedit. Krahas gruas së vet Khaddija-s, ishte skllavi i liruar Zaid dhe kushëriri i ri i Muhamedit dhe dhëndri i ardhshëm Aliu. Pak më vonë edhe Ebu Bekri, mik i vjetër i Muhamedit, iu bashkua komunitetit të sapoformuar të Islamit.

Pas një pauze të shkurtër, shpalljet vazhduan, dhe fjala e lëvizjes së re myslimane së shpejti nisi të qarkullojë. Kjo i zemëroi udhëheqësit e Kurejshëve sepse ndiheshin se Islami ua minonte autoritetin. Duke mësuar se sipas natyrës mund të jetë veç një Zot real, Islami e minoi autoritetin fetar të Kurejshëve si udhëheqës të politeizmit të vjetër fisnor. Duke tërhequr shumë të konvertuar nga skllevërit dhe njerëz të tjerë të pafuqishëm, Islami shihej edhe si minues i autoritetit politik të etërve dominues të klaneve. Duke e predikuar një nivel të humanizmit dhe të përgjegjësisë shoqërore goxha mbi atë që realizohej nga praktikat ekzistuese, Islami shihej edhe si dobësues i popullaritetit moral të patriarkëve fisnorë.

Për dhjetë vjet Muhamedi dhe myslimanët e Meikës kishin përjetuar abuzë dhe torturë. Një grup i myslimanëve mërguan në Abisini, të siguruar nga Profeti se mbreti i asaj toke ishte i krishterë dhe do t’i mbronte. Pas një kohe udhëheqësit e Kurejshëve u përpoqën ta vrisnin Muhamedin, dhe kështu Profeti përfundimisht u detyruar të ikte nga Meka në vitin 622. Kjo u bë e njohur si Viti i Emigrimit, viti nga i cili numërohen të gjitha datat në historinë islame.

Myslimanët e përndjekur migruan masovikisht në Jathrib, më vonë i njohur si Medina Al Nabiy, “Qyteti i Profetit”, apo thjesht al Medina, “Qyteti”. Armiqësitë dhe intrigat kundër tyre u zgjeruan, megjithatë, meqë forca evidente morelae e lëvizjes i ngjalli shpresat dhe frikat e rritjes së numrave të individëve dhe grupeve. Si rezultat i kësaj, gjatë afër një dekade të qëndrimit në Medinë, Muhamedi ishte vazhdimisht i detyruar t’i udhëhiqte myslimanët në luftë. Në një betejë Profeti u plagos rëndë në kokë dhe në fytyrë, dhe u supozuar si i vdekur.

Pas një kohe të gjatë Muhamedi dhe myslimanët dolën triumfues, jo për shkak të ndonjë fitoreje dërrmuese ushtarake por nga përkushtimi i vazhdueshëm ndaj Islamit dhe rezistenca e palodhur ndaj trajtimit mizor. Myslimanët e armatosur dobët do të përballeshinme , dhe nganjëherë madje edhe t’i mundnin, batalionet me luftëtarë të stërvitur që ishin dhjetë herë më shumë në sasi. Dhe lëvizja vazhdoi të rritet, me gjithë kundërshtimin dhe vështirësitë.

Në vitin e shtatë të Emigrimit, Muhamedi e bëri pelegrinazhin në Mekë, dhe në vitin tjetër Profeti hyri në Mekë me një grup të madh të myslimanëve, i pa kundërshtuar. E pastroi faltoren e shenjtë nga idhujt dhe e mirë-vendosi adhurimin e Zotit një, real, duke i përfshirë praktikat e lutjeve, bamirësisë dhe agjërimit. Përmes përhapjes së Kuranit dhe shembullit të vet si Profet i frymëzuar, Muhamedi i reformoi edhe shumë aspekte  të jetës familjare, shoqërore dhe ekonomike.

Nga parathënia e librit:

The essential Koran: the heart of Islam: an introductory selection of readings from the Qurʼan. Cleary, Thomas F., HarperCollins, 1993


Kurani i shqipëruar:

Kurani i shqipëruar dhe referenca të tjera

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s